30/12/2024
Maqedoni

“U nënshkrua nga pesë subjekte” – Ali Ahmeti zbulon se çfarë përmban marrëveshja mes partive shqiptare

    “Nuk ka partneritet me parti politike që janë kundër ndryshimeve kushtetuese dhe kundër rrugës euroatlantike të Maqedonisë. Kaq është kjo”.

    Kjo është përmbajtja e marrëveshjes së nënshkruar mes pesë partive shqiptare, të nënshkruar muaj më parë dhe që obligon secilën nga ato, që nuk do të hyjnë në një Qeveri që nuk voton pro ndryshimeve kushtetuese.

    “Marrëveshja është e nënshkruar nga Aleanca për Shqiptarët, Bashkimi Demokratik për Integrim, partia Besa dhe partia Alternativa. Kjo marrëveshje është nënshkruar para një muaji e gjysmë. Atë, tek unë e ka sjell ministri i atëhershëm i Administratës, Azir Aliu. Ishte nënshkruar vetëm nga doktor Arben Taravari.. Harrova ishte nënshkruar edhe nga partia e Izet Mexhitit, Lëvizja Demokratike”, tha Ahmeti në ClickPlus në TV21.

    I pyetur, se ky dakordim a paraqet një hap para drejt një krize në Maqedoninë e Veriut, Ahmeti me përgjigje:“Unë mendoj se nuk ka nevojë të shkojmë në krizë se ka zgjidhje për çdo problem. Le të marrin përgjegjësi të gjithë. Të formohet Qeveri kombëtare pas zgjedhjeve nëse nuk ka gatishmëri nga partia që do t’i fitojë zgjedhjet, sepse askush nuk mund ta dijë se si do të dalin zgjedhjet e 8 majit dhe 24 prillit. Por ka zgjidhje – Qeveri kombëtare që ta ndajnë përgjegjësinë të gjithë bashkërisht”, tha Ahmeti.