30/12/2024
Botë Lajme

Populli turk “shuplaka” Presidentit në zgjedhje, Erdogan humb shumicën e qyteteve kryesore

    Turqit i dhanë presidentit Tajip Erdogan dhe partisë së tij goditjen më të madhe elektorale të dielën në një votim vendor mbarëkombëtar që ripohoi opozitën si një forcë politike dhe përforcoi kryetarin e Stambollit Ekrem Imamoglu si rivalin kryesor të presidentit.

    Me shumicën e votave të numëruara, Imamoglu kryesoi me 10 pikë përqindje në garën për kryetar bashkie në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, ndërsa Partia e tij Republikane Popullore (CHP) mbajti Ankaranë dhe fitoi 15 vende të tjera kryebashkiake në qytete në mbarë vendin. Këto zgjedhje shënuan dhe humbjen më të madhe për Erdoganin dhe Partinë e tij AKP në më shumë se dy dekadat e tyre në pushtet.

    Kryetari i AKP-së dhe presidenti Recep Tayyip Erdogan ka mbajtur fjalën nga selia e partisë së tij. Teksa numërimi i votave vijon dhe në disa zona të tjera, Erdogan tha se nga këto zgjedhje nuk morën rezultatin që dhe prisnin.

    “9 muaj pas fitores tonë në zgjedhjet e 14-28 majit, fatkeqësisht nuk arritëm të merrnim rezultatin që dëshironim në këto zgjedhje lokale”, tha Erdogan.

    “Ne si AK Parti dhe Aleancë Popullore kemi punuar fort për këto zgjedhje si më parë, kemi qenë ditë e natë në terren. Kam vizituar 52 qytete të ndryshme, kam bërë mitingje atje, jam integruar me njerëzit e mi dhe ky ishte rezultati”, shtoi ai.

    Duke theksuar më tej se do të vlerësojnë rezultatet e zgjedhjeve lokale të 31 marsit dhe do të bëjnë autrokritikë me guxim Erdogan tha se arsyet e humbjes do të diskutohen në të gjitha bazat.

    “Sigurisht që arsyet e këtyre rezultateve do të diskutohen edhe në baza lokale. Ne do të bëjmë ndërhyrjet e nevojshme kudo që të humbasim apo të ngecim”, tha ai.

    Sa i përket sigurisë dhe incidenteve gjatë procesit të zgjedhjeve presidenti turk tha se zgjedhjet përfunduan në kuadër të gjitha normave që i përshtaten demokracisë.

    Përveç disa incidenteve të izoluara, nuk ka ndodhur asnjë incident i madh që do të hidhte hije mbi atmosferën zgjedhore. Ne ishim dëshmitarë të shtypjes dhe fyerjeve të skllevërve të organizatës separatiste ndaj qytetarëve tanë në rajonet tona të Anadollit Lindor dhe Juglindor. Por me ndërhyrjet efektive të njësive tona policore nuk ka pasur probleme serioze”, tha ai.

    Në vijim, presidenti turk uroi kandidatët e frontit tjetër që u zgjodhën kryetarë bashkie duke theksuar se si qeveri do të vijojnë ti mbështesin.

    “Ne si qeveri do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë administratorët vendorë të zgjedhur me votat e kombit tonë në punën e tyre për të mirën e qyteteve të tyre”, tha Erdogan në përfundim të fjalës së tij.

    Ndërkohë, kujtojmë se pak më parë opozita shpërtheu në festë. Kandidatët e partisë opozitare në Ankara dhe Stamboll shpallën fitoren me diferencë të thellë nga kundërshtarët e tyre.

    Kryebashkiaku aktual i Stambollit, Ekrem Imamoglu, kryeson me 10% ndaj rivalit të tij, Murat Kurum, duke marrë mbështetje të fortë nga banorët e qytetit.