21/12/2024
Lajme Maqedoni Shqipëri

Pluhri afrikan mbulon qiejt e Europës Juglindore,nesër temperaturat priten përvëluese

    Jo vetëm Tirana, por edhe shteti fqinj, Greqia është zgjuar sot me një re pluhri afrikan i cili ka rritur ndjeshëm temperaturat në këtë të mërkurë marsi.

    Sipas sinoptikanëve, një qendër ciklonare në jugperëndim të Europës ka shkaktuar stuhi të forta ere në veri të Afrikës duke ngritur masive rëre drejt Mesdheut Lindor dhe Ballkanit, ku nxehtësia e rërës ka rritur temperaturat në mënyrë të menjëhershme deri 28 gradë në Tiranë. Temperaturat e ditës së sotme janë më të lartat e regjistruara në të paktën njëzet vitet e fundit në shumicën e vendeve për muajin mars.

    Ndërsa në Greqi temperaturat janë rritur edhe më shumë. Në Gazi termometri ka kaluar rekordin e 31 marsit 2009 që ishte 25 gradë, duke arritur në 25.3 gradë. Në Kretë temperatura në shumë zona kaloi 30, por edhe 32 gradë.

    Për këtë reagoi edhe drejtori i kërkimeve në Observatorin e Athinës, Kostas Lagouvardos, i cili tha se këto janë temperatura që arrijnë apo edhe tejkalojnë rekordet e muajit mars.

    Madje, duke qenë se tre ditët e fundit të muajit pritet të kenë temperatura mbi normalen për sezonin, temperatura mesatare e muajit do të rritet edhe më shumë.

    Qiejt e Europës Juglindore janë ngjyrosur me ngjyrë kafe si pasojë e masave të rërës pezull në atmosferë.Sinoptikanët njoftojnë se pluhri Afrikan do jetë i pranishëm edhe ditën e nesërme, ku pritet të jetë edhe më përvëlues.

    Nesër kushtet favorizojnë pluhurin nga Afrika, ndaj atmosfera do të mbetet përvëluese, ndërsa pritet një rënie e lehtë e temperaturës gjatë fundjavës.

    Të dhënat e deritanishme tregojnë se në fillim të javës së ardhshme do të kemi një tjetër ndërhyrje të ngrohtë me rritje të re në temperaturë.

    Sa i përket temperaturave më të larta, sipas meteo, termomentri arriti pikën më të lartë në Alikianos Chania e cila tregoi 32.6 gradë, ndërsa në qendër të Chania 32.5 gradë.