100 ushtarë shqiptarë do të vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë pranë KFOR deri në 31 dhjetor 2027. Vendimi u mor në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, ndërkohë për trupat shqiptare që shërbejnë në Kosovë kjo do të përkthehet edhe në të ardhura më shumë financiare.
Ushtarët që shërbejnë në KFOR paguhen nga 60 euro deri në 120 euro në ditë më shumë, përveç rrogës së tyre që marrin çdo fundmuaji.
Misioni i ushtarëve shqiptarë pritej të përfundonte në 31 dhjetor 2024, por u shty edhe për tre vite të tjera, nisur edhe nga situata jo shumë e qetë në Kosovë, ku edhe siç publikoi kryeministri Kurti mbrëmjen e djeshme, forca të ushtrisë serbe janë duke patrulluar vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën.
Periudha e qendrimit në mision për cdo ushtar do të jetë me sistem rrotacioni nga 6 muaj në një vit, dhe pas ikjes së një kontigjenti, ai do të zëvendësohet me një të ri. Të gjitha shpenzimet shtesë për këtë mision, do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes thuhet në vendimin e qeverisë.