21/12/2024
Botë Lajme Rajon

Mali i Zi lejon ekstradimin e “mbretit” të kriptomonedhës

    Gjykata e Apelit e Malit të Zi ka refuzuar sot ankesën e avokatëve mbrojtës të shtetasit koreano-jugor Do Kwon dhe ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Lartë, për ekstradimin e tij në vendin e origjinës.

    Do Kwon dhe partneri i tij i biznesit, Hon Chang Joon, u arrestuan në Mal të Zi më 23 mars 2023, teksa po përpiqeshin të iknin në Dubai me dokumente të falsifikuara. Do Kwon akuzohet për “orkestrim të një mashtrimi prej miliarda dollarësh të letrave me vlerë të aseteve kripto”.

    Më 26 shtator, një njoftim i kuq i Interpolit u lëshua për arrestimin e Do Kwon për rolin e tij të dyshuar në rrëzimin e Terra Luna (LUNC) dhe Terra USD (USTC) prej 40 miliardë dollarësh në maj 2022. Ai kërkohet nga autoritetet rregullatore në Korenë e Jugut, Singapori dhe SHBA.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut i kanë kërkuar Podgoricës që të ekstradojë 32 vjeçarin, pasi e konsiderojnë atë si themeluesin koreano-jugor të kriptomonedhës Terra.

    Do Kwon
    Do Kwon

    Kompania falimentoi dhe si rezultat, investitorët e saj humbën rreth 40 miliardë dollarë ndërsa u shkaktuan turbullira në tregun e kriptomonedhave. Do Kwon u arrestua në mars 2023 në aeroportin e Podgoricës së bashku me shefin financiar të kompanisë, Hong Chang Jun.

    Sipas autoriteteve malazeze, ata posedonin pasaporta false nga Kosta Rika dhe u përpoqën të hipnin në një fluturim për në Dubai. Në bagazhet e tyre u gjetën edhe dokumente të rreme belge. Pas një viti betejë gjyqësore, bosi koreano-jugor i kriptomonedhave do të ekstradohet në Korenë e Jugut.

    Procesi kishte ngecur në ngërç procedurial pasi fillimisht u lejua ekstradimi i Do Kwon, me qëllim ndjekjen penale për disa vepra penale me kërkesë të Koresë së Jugut, por ky vendim u refuzua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat gjithashtu kërkonin ekstradimin e 32 vjeçarit.

    Do Kwon ne gjykaten malazeze, Foto: Boris Pejović
    Do Kwon ne gjykaten malazeze, Foto: Boris Pejović

    “Duke vendosur për ankesën e mbrojtësit të të pandehurit, kolegji i Gjykatës së Apelit vlerësoi se gjykata e shkallës së parë ka konstatuar drejt se kërkesa e Republikës së Koresë së Jugut ka ardhur më herët në rendin e mbërritjes në krahasim me kërkesën e SHBA-së.

    Pra ka vlerësuar drejt këtë dhe kriteret e tjera nga neni 26 i Ligjit për ndihmën juridike ndërkombëtare në çështjet penale, i cili zbatohet në rastin kur ekstradimi i të njëjtit person kërkohet nga disa shtete, ka marrë vendim me të cilin lejohet ekstradimi i të pandehurit Do Kwon në Korenë e Jugut të Kodit të Procedurës Penale, duke pasur parasysh se neni 20 paragrafi 2 i këtij ligji nuk parasheh të drejtën e prokurorit të shtetit për të paraqitur ankesë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.