30/12/2024
Kosovë

Albin Kurti “nuk ha” presionin e SHBA: Propozimi për denarin shkel rregullat tona

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur edhe njëherë i vendosur sa i përket propozimeve të ndërkombëtarëve lidhur me çështjen për heqjen e denarit. Në një intervistë për Radio Europa e Lirë, Kurti i prerë ka thënë se nuk pranojnë propozime të cilat janë në kundërshtim me rregulloren e Bankës së Kosovës.

    “Por nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që janë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”, theksoi ai.

    Ndër të tjera, kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se guvernatori i Bankës së Serbisë ka shansin t’i përgjigjet homologut të tij Kosovar, Ahmet Ismailit, dhe në këtë mënyrë të dy bankat qendrore të rregullojnë paqartësitë.

    “Serbia e ka shansin unik që guvernatori i Bankës Popullore të Serbisë t’i përgjigjet guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili – dhe në këtë mënyrë dy bankat qendrore ta rregullojnë çdo paqartësi. Pra, njëra ndër opsionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, për të cilën janë të njoftuar edhe partnerët ndërkombëtarë, është që më në fund guvernatori Ismaili të marrë letrën e përgjigjes”, tha Kurti.

    I pyetur lidhur me propizimet e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kurti tha se ata japin vazhdimisht propozime, duke refuzuar t’i bëjë publike ato.

    “Ata japin vazhdimisht propozime. Unë nuk është e thënë që propozimet e tyre t’i shpalos publikisht duke bërë zëdhënësin e ambasadave. Nuk e bëj dot këtë punë. Unë po tregoj që ne i kemi ofruar një letër Bankës Popullore të Serbisë nga ana e guvernatorit, që në këtë rast na përfaqëson të gjithëve si qytetarë të Republikës, juve si gazetarë, mua si kryeministër dhe ne presim përgjigje nga ana tjetër”, tha Kurti ndër të tjera.

    Radio Evropa e Lirë: Dhe, prisni përgjigje…

    Albin Kurti: Për opsionet që kanë dhënë amerikanët, gjermanët, e të tjerët, unë besoj që duhet të flasin ata vetë.

    Radio Evropa e Lirë: Do të thotë që propozimet që janë dhënë nga Escobar nuk janë refuzuar?

    Albin Kurti: Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së dhe njëkohësisht ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme. Sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike janë detyrat dhe funksionet e ndara.