30/12/2024
Shqipëri

Nëna e hodhi në lum, gjendet trupi i pajetë i foshnjës

    Pas disa orësh kërkime në lumin Tapizë në Krujë, është gjetur trupi i pajetë i foshnjës së sapolindur që u hodh në ujë nga nëna. Bëhet me dije se trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në morgun e Tiranës, ku do i nënshtrohet dhe ekspertizës mjeko-ligjore.

    42-vjeçarja Leta Koçi pas lindjes fëmijën e ka vendosur në qese dhe e ka hedhur në lum. Fëmija ka lindur në kushte shtëpie, ndërsa askush nuk e dinte se 42-vjeçarja ishte shtatzënë. Madje edhe bashkëshorti i saj para uniformave blu është shprehur se nuk e ka ditur që gruaja ishte shtatzënë.

    42-vjeçarja nënë e pesë fëmijëve, pas lindjes ka shkuar në spital pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore, ku mjekët kanë zbuluar se gruaja s’kishte shumë orë që kishte lindur. Ajo para hetuesve është shprehur se fëmija ka lindur i vdekur dhe ndaj e ka hedhur në lum, teksa ka refuzuar të tregojë se ku e ka hedhur ekzaktësisht, duke pretenduar se nuk e mban mend.