30/12/2024
Maqedoni

Bujar Osmani: Për ne dielli lind në Perëndim, dikush po harron kush janë miqtë e kush armiqtë tanë

    Bashkimi Demokratik për Integrim në konventën e sotme me moton “JO RUSISË, PO EUROPËS”, promovoi Bujar Osmanin si kandidatin e tyre për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Në sallën ku u mbajt konventa kishte të pranishëm shumë simpatizantë, antarë e përfaqësues të Bashkimit Demokratik për Integrim.

    Kryeministri teknik Talat Xhaferi në konventën për promovimin e Bujar Osmanit si kandidat për president, tha se ata që mendojnë që mund të rrëzojnë BDI-në dhe Ali Ahmetin e kanë gabim.

    “Në fushatë Ali Ahmeti e paralajmëroi se e ka radhën kryeministri i parë shqiptar, ai e tha, ndaj u tha dhe u bë! Kush mendon që do e rrëzoi BDI-në dhe Ali Ahmetin e ka gabim, sepse emri i tij buron nga lufta, puna dhe sinqeriteti. Ata që sot nuk na duan, dolën pikërisht nga ne, mirëpo edhe pak ditë do të ua tregojmë të gjithëve se kush ku e ka vendin! Në jemi mbledhur të themi qartë, JO RUSI, PO EUROPË! Për Europë dhe me Europën, bashkë me Bujar Osmanin. Ai që na përfaqëoi dënjësisht në OSBE dhe në MPJ. Bujari do të na prij më 24 prill, më 8 maj, ndërsa më 9 maj na pret festa e madhe”, tha Xhaferi.

    Bujar Osmani, kandidati i BDI-së për president në Maqedoninë e Veriut, ka prezantuar motivet e tij për të hyrë në garën për president, duke theksuar nevojën për të parandaluar ndikimin rus në vendin e tyre. Osmani ka theksuar se Rusia nuk është një aleat tradicional për Maqedoninë e Veriut, duke argumentuar se interesat strategjike të Rusisë përfshijnë mbajtjen e Ballkanit jashtë zonës së influencës së Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

    “Ne rrugën tonë e kemi zgjedhur që moti, ne jemi shumë të qartë, për ne dielli lind në Perëndim. SHBA, BE, NATO, këto fjalë duhet t’i përsërisim më shpesh, me që vëllezër dhe motra dikush te ne po harron kush janë miqtë e kush janë armiqtë tanë, dhe ne jemi këtu për të ia kujtuar me vepra gjithsecilit, se përcaktimi ynë është i pakthyeshëm, SHBA, BE NATO. Jo Rusisë, jo Kinës, jo Bjellorusisë”, tha mes tjerash Osmani.

    Para një numri të madh të qytetarëve Ali Ahmeti tha se BDI qe 22 vite nuk njeh humbje, ndaj gjithë këtë kala të fitoreve e ka ndërtuar populli me durim dhe besim.

    “BDI për 22 vite nuk njeh humbje, kemi fituar çdo betejë, si ushtarakisht edhe taktikisht. Bashkë më popullin arrijmë gjithcka, ne me popullin ndërtuam një kala, që nuk përmbyset, me flamur, gjuhë, traditë, histori, universitete ndaj e dëshmojmë se jemi dalëzotës dhe fitues gjithmonë”. BDI ka ngritur kuadro për këtë vend, për kete komb, ndaj ky është investimi më i madh që ne kemi bërë. Me BDI-në nuk është e lehtë të matesh, sepse të gjithë ju keni investuar në veprat kapitale kombëtare, që s’ka kush i shkul. Me ne askush le t’mos hyn në bela, se e gjen belaja! Nuk mund të luaj super-liga me liga lokale, ndaj ne Bujarin e kemi super ligë të super ligave”, u shpreh Ali Ahmeti.