21/12/2024
Lajme Shqipëri

Shoqata në bazë në Vienë që shpëtoi ariun e Fierit: Jetoi vuajtje të paimagjinueshme!

    Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve “Four Paws”, ka publikuar disa foto të ariut “Dushi” që u shpëtua vite më parë në Safarin e Fierit. Ariu tani jeton në një park të madh të hapur, ndërsa Shqipërinë organizata thotë se atje “Dushi” jetoi një jetë me vuajtje të paimagjinueshme.

    “Njihuni me Dushin e vrullshëm që jetoi një jetë me vuajtje të paimagjinueshme në kopshtin zoologjik Safari Park të Shqipërisë në Fier. Fatmirësisht, në tetor 2018, ai u shpëtua. Ai është përshtatur shumë me mjedisin e ri dhe është e sigurt dhe e guximshme. Ajo tani ndan parkun me Rocco”, njofton organizata.

    Në fund të tetorit 2018, për shkak të kushteve tërësisht të mjerueshme, u mbyll Parku Zoologjik në Fier në bashkëpunim me Ministrinë e dikurshme të Turizmit dhe Ambientit. Për arsye sigurie, pronari i Safari Park Zoo nuk u njoftua paraprakisht që kafshët do të konfiskoheshin.

    Një skuadër ndërkombëtare veterinerësh dhe një njësi speciale e Policisë mbikëqyri operacionin e shpëtimit. Në një moment dramatik, policia theu portën hyrëse për të futur ekipin e shpëtimit prej 20 personash të hynin në park.

    “Ajo që pamë ishte shokuese. Kishte kafazë të qelbur me kafshë brenda. Kafshët trajtoheshin në kushte të mjerueshme” tha Marc Golkel, një veteriner gjerman që ishte pjesë e ekipit të shpëtimit.

    Fillimisht kafshët që u morën u dërguan në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. U transferuan aty tre luanë, tre arinj, zebra, drerë etj. 12 kafshë ishin në listën e shpëtimit. Sapo ato u rekuperuan, u dërguan në vende të tjera.