22/12/2024
Maqedoni

100 ditë Qeveri teknike – 100 ditë kryeministër, Xhaferi: Zhvilluam zgjedhje evropiane

    Qeveria teknike, në krye me kryeministrin Talat Xhaferi, ka realizuar zgjedhje të lira dhe demokratike…

    Qeveria teknike, në krye me kryeministrin Talat Xhaferi, ka realizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, ku qytetarët në zgjedhjet e dyfishta 2024, shprehën në mënyrë të lirshme vullnetin e tyre se kush duhet t’i përfaqësojë në ekzekutiv.

     

    Kështu deklaroi kryeministri Xhaferi në press-konferencën e tij të kushtuar 100 ditë Qeveri teknike – 100 ditë kryeministër. Shprehu mirënjohjen e tij për institucionet dhe qytetarët, sepse, siç tha ai, kanë mbajtur përgjegjësitë e tyre dhe kanë kontribuar në përpjekjet e shtetit për të përparuar sipas vlerave evropiane.

     

    “U angazhova para qytetarëve se do të mundësojmë shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Ky është një obligim i besuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe unë si kryeministër dhe Qeveria e kemi përmbushur në vazhdimësi. Zbatuam zgjedhje evropiane në përputhje në procese zgjedhore të lira, të qeta, korrekte dhe demokratike në të gjitha ciklet zgjedhore. Zgjedhje që do të përmenden se si mundet dhe si duhet të punohet në interes të qytetarëve dhe shtetit.”, – deklaroi kryeministri i RMV-së, Talat Xhaferi.

     

    Qeveria e ardhshme duhet të vazhdojë rrugën eurointegruese të vendit dhe RMV-ja të shfrytëzojë mundësinë që deri ne vitin 2030 tërësisht të anëtarësohet në BE. Sipas tij, përbërja e re qeveritare do të duhet të vazhdojë kursin euroatlantik dhe të përfundojë detyrat e brendshme që ka vendi para se të anëtarësohet në BE, tha Xhaferi.

     

    “E ardhmja e RMV-së, paqja, qetësia dhe perspektiva e qytetarëve janë të lidhura drejtpërdrejt me progresin e integrimeve evropiane dhe realizimin e anëtarësimit të plotfuqishëm në një proces dinamik deri në vitin 2030. Shansi është para shtetit dhe para Qeverisë së re, si dhe përgjegjësia. Tani duhet me doemos të vazhdohet drejt rrugës evropiane duke shndërruar vullnetin e qytetarëve në pushtetin e ri ekzekutiv.”, – theksoi kryeministri i RMV-së, Talat Xhaferi.

     

    Tha se qytetarët tashmë presin zbatimin e premtimeve zgjedhore. Në pyetjen e gazetarëve, nëse Xhaferi sheh veten si kryeministër edhe me një mandat të ri në të ardhmen, nëse “Fronti Evropian” i përbërë nga 9 parti politike, bëhet pjesë e Qeverisë se re, Xhaferi tha se është kjo çështje i takon bisedimeve mes kryetarëve te partive politike dhe jo atij.

     

    “Çështja e mandatit të ardhshëm është çështje e procedurave dhe procesit të kalkulimeve dhe bisedimeve ndërpartiake të subjekteve që kanë fituar mandatin në Kuvend. Unë jam i fokusuar në detyrat dhe obligimet që i ka Qeveria për faktin që përbërja e kësaj Qeverie funksionon deri në përzgjedhjen e përbërjes së ardhshme.”, – u shpreh kryeministri i RMV-së, Talat Xhaferi.

     

    Në kuadër të Qeverisë teknike 100-ditëshe opozita maqedonase mori pjesë me dy ministra, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë për Punë dhe Politike Sociale, si dhe me tre zëvendësministra plotësues në Ministrinë e Financave, për Shoqëri Informatike dhe Bujqësi.

     

    Më 28 janar të këtij viti, Talat Xhaferi u zgjodh kryeministër i parë shqiptar të Qeverisë teknike në përputhje me marrëveshjen paraprake politike që kishte BDI-ja me partnerin e tij të koalicionit LSDM-në, për të marrë këtë post udhëheqës dhe për t’i organizuar zgjedhjet e 7-ta presidenciale dhe të 11-ta parlamentare.